
Të meditojmë me ungjillin: “bekuar je ti mbi të gjitha gratë” - vatican news
Play all audios:

Ungjilli i së dielës IV e të fundit të Kohës së Ardhjes na paraqet dëshminë e Elizabetës, dëshmia më e lashtë e nderimit të Nënës së Zotit. Kreu I i Shën Lukës (39-45) na zbulon si u
realizua ardhja e Mesisë dhe cili është misteri i shëlbimit, që përmbahet në të. Gjithçka zhvillohet rreth Marisë e, edhe prania e saj krah Elizabetës, ndikon mrekullueshëm mbi të e mbi
fëmijën. Të dy mbushen me Shpirtin Shenjt. Të ndjekim pjesën ungjillore… R.SH. - VATIKAN Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë
e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me
zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate
arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!” Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin,
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë:po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. TË LUTEMI SË BASHKU Si
të përgatitemi, o Jezus, për festën e lindjes Tënde, që tashmë, troket në derë? Me të njëjtën gatishmëri, me të njëjtin besim me të njëjtin gëzim si Maria, Nëna jote. Edhe neve, Ti vazhdon
të na dërgosh shenja: bëj që të dimë t’i kërkojmë e t’i njohim të gëzohemi për gjithçka Ti dikon në ne e përreth nesh. Bëj të lëshohemi plot besim në duart e në fjalën tënde duke ndjekur
planin tënd të dashurisë. Edhe neve, Ti na kërkon të besojmë e të veprojmë, të përshkojmë udhën drejt dikujt, që ka nevojë për ne: për solidaritetin tonë, për dëgjimin tonë, për mirësinë
tonë, për ndihmën tonë. Edhe neve, Ti na e çliron gojën, që të shpallim me mirënjohje, praninë dhe veprat e tua, që të bekojmë emrin tënd e të gjithë ata, që i bëre protagonistë të një plani
ngushëllimi e shprese, mëshire e paqeje.